Aktivitete të Institutit Kombëtar të Fizikës

Webinari 10: “Muonet për Trashëgiminë Kulturore”

Instituti Kombëtar i Fizikës dhe Dep. i Fizikës kanë kënaqësinë t’ju ftojnë të merrni pjesë në webinarin me temë “Muonet për Trashëgiminë Kulturore”, i cili zhvillohet në kuadër të projektit “Unveiling the Illyrian arsenal: Insights into ancient weaponry using spectroscopic and non-destructive techniques”, financuar nga programi READ (Research Expertise from the Diaspora) i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF).

Për një kohë të gjatë, studimi i objekteve historike ka ngritur dilemën: për të njohur përbërjen e një artefakti, shpesh duhej sakrifikuar një pjesë e tij. Teknika MIXE (emetimi i rrezeve X i induktuar nga muonet) e tejkalon këtë kufizim. Muonet negative, rreth dyqind herë më të rënda se elektronet, depërtojnë thellë në metale e qeramika; kur kapen nga atomet, ato lëshojnë rreze X muonike që mbartin nënshkrimin e pangatërrueshëm të çdo elementi. Në këtë mënyrë, materia rrëfen përbërjen e vet pa u dëmtuar. Gjatë prezantimit do të trajtohen:

  • parimet fizike të teknikës MIXE dhe zbatimi i saj në Institutin Paul Scherrer;
  • profilizimi i thellësisë dhe zbulimi i shtresave të fshehura nën sipërfaqe;
  • identifikimi i lidhjeve metalike, prejardhjes dhe teknikave metalurgjike të qytetërimeve të lashta;
  • muografia me muone kozmike si mjet për vëzhgimin e strukturave monumentale.

Bëhet fjalë për një bashkëbisedim mes fizikës dhe shkencave të trashëgimisë, mes instrumenteve të menduara dikur për të kuptuar universin dhe dëshmive që njeriu ka lënë pas ndër shekuj. Prezantimi është konceptuar për një auditor ndërdisiplinor. Për më shumë info: https://indico.cern.ch/event/1717965/

Rreth folësit

PhD Toni Shiroka ka kryer studimet master në Fizikë në Universitetin e Parmës dhe doktoraturën në Fizikën e Materies së Kondensuar në kuadër të bashkëpunimit Oxford Slow-Muon (Heidelberg-Parma-ISIS). Interesat e tij kërkimore përfshijnë nanofizikën, magnetizmin organik dhe superpërçueshmërinë, materialet me korrelacion të lartë elektronik, zhvillimet instrumentale dhe fizikën kompjuterike. Ndër vlerësimet e marra gjatë karrierës së tij është edhe çmimi i ETH Zürich për inovacion dhe ekselencë në mësimdhënie. Aktualisht është Senior Scientist në ETH dhe në Institutin Paul Scherrer, përgjegjës përkatësisht për laboratorin e rezonancës magnetike bërthamore dhe atë të spektrometrit multifunksional të muoneve.

E martë, 15 shtator 2026, ora 17:00 (ora e Tiranës)

Qielli mbi Tiranë, drejtpërdrejt çdo natë!

Gjatë kulmit të Perseideve, në netët e 12-13 gushtit 2026, platforma online “Meteorë mbi Tiranë” transmetoi live pamjet e kamerës FRIPON ALTR01, pjesë e rrjetit ndërkombëtar FRIPON, i dedikuar për vrojtimet e meteorëve.

Por transmetimi nuk ndalet me mbarimin e një eventi astronomik. Qielli mbetet i hapur çdo natë: shira të tjerë meteorësh, bolidë të papritur, kalime kometash e dukuri që shpesh ndodhin pa paralajmërim, dokumentohen për publikun e gjerë.

Ju ftojmë ta ndiqni faqen vazhdimisht, jo vetëm gjatë eventeve astronomike.

meteor-tirana.org

Projekti Exo4Edu

Exo4Edu është një projekt Erasmus+ (Action Type: KA220-SCH – Cooperation partnerships in school education, Grant Agreement nr. 2024-1-FR01-KA220-SCH-000256856), i cili zhvillohet nga shtatori 2024 deri në gusht 2027, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian. Projekti Exo4Edu drejtohet nga Observatoire de Paris-PSL, si partneri kryesor, ndërkohë partnerë të tjerë janë GHOU (Global Hands-On Universe, nga Portugalia), Universiteti i Tiranës (nga Shqipëria) dhe AIRA – Instituti Astronomik i Akademisë Rumune (nga Rumania), të cilët bashkëpunojnë për të sjellë njohuritë mbi ekzoplanetët në shkolla dhe për të pajisur mësuesit me mjete inovative për të frymëzuar breza të rinj shkencëtarësh!

Qëllimi i projektit është t’u sjellë nxënësve dhe mësuesve në shkolla një udhëtim ndërdisiplinor rreth botës së ekzoplanetëve dhe kërkimit të jetës në Univers. Përmes një platforme edukative online, projekti ofron qasje shkencore, të dhëna reale astronomike, vizualizime 3D dhe mjete pune, si dhe tutoriale përkatëse, duke i ftuar nxënësit të mendojnë dhe të eksplorojnë si astronomë të vërtetë. Nga ana tjetër, Exo4Edu mbështet edhe mësuesit, duke u ofruar mundësi zhvillimi profesional (trajnime, shkolla verore, leksione të hapura, etj.) për t’i udhëhequr nxënësit drejt përvojave autentike kërkimore-shkencore.

Më shumë info: https://exo4edu.eu/

Bisedë publike: “Eksploruesit e Ekzoplanetëve”

A ka jetë tjetër përtej Tokës?

Instituti Kombëtar i Fizikës fton, me datë 7 korrik në orën 19:00, publikun në një bisedë të hapur dhe interaktive mbi ekzoplanetët, planetët misteriozë që gjenden jashtë Sistemit tonë Diellor! Ky aktivitet është i hapur për të gjithë, por pritet të jetë veçanërisht i përshtatshëm dhe tërheqës për fëmijët, nxënësit dhe gjimnazistët, të cilët do të jenë pjesëmarrësit kryesorë të këtij aktiviteti.

 

Në këtë aktivitet do të zbulohet:

  • Çfarë janë ekzoplanetët dhe si i gjejnë shkencëtarët?
  • Si duket një “planet i banueshëm”?
  • A ka mundësi për jetë diku tjetër në Univers?
  • Imazhe, video dhe eksperimente të thjeshta për t’u argëtuar dhe për të mësuar njëkohësisht!

Aktiviteti pasohet nga konkurse dhe pyetësorë për dy grup moshat e pjesëmarrësve, nxënës të 9-vjeçares dhe gjimnazistë. Pas shpalljes së fituesve, të gjithë i bashkohen vëzhgimit të Diellit dhe Venusit me teleskop.

Ky aktivitet organizohet në kuadër të projektit evropian Exo4Edu, i cili synon t’ia bëjë astronominë dhe kërkimin shkencor të kuptueshëm dhe argëtues për çdo moshë, sidomos për brezin e ri. Aktiviteti zhvillohet në Durrës, gjatë shkollës verore Exo4Edu 6-11 korrik, 2026 (https://exo4edu.eu/exo4edu-summer-school-2026/) dhe në përfundim shpërndahen certifikatat për pjesëmarrësit.

On the Moon Again!

Ngjarja ndërkombëtare “On the Moon Again” po afron! Mbi 600 pika vrojtimi në të gjithë botën do të hapen për t’i treguar Hënën kalimtarëve!

Edhe ne do të na gjeni përballë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Tiranë, pranë teleskopit tonë, për t’ju treguar krateret, malet, “detet” dhe larminë e relievit hënor.

Kur? Ditën e premte, datë 19 qershor, duke nisur nga ora 20:30.

Për më shumë informacion: https://www.onthemoonagain.org/

Konferenca “Nga Gigabota te grimcat elementare, gjithçka lëviz e vetorganizohet: kjo është Fizika”

Më datë 25 maj 2026, Instituti Kombëtar i Fizikës organizon konferencën “Nga Gigabota te grimcat elementare, gjithçka lëviz e vetorganizohet: kjo është Fizika”, me rastin e botimit të kolanës së librave të Akad. Prof. Rexhep Meidanit: Universi, Përbërja dhe Evolucioni i tij; Kategoria e Materies në Fizikë; Kategoria e Hapësirës dhe Kohës; dhe Kategoria e Lëvizjes. Përveç folësve të ftuar, kërkues të rangut të lartë nga brenda dhe jashtë vendit, një pjesë e seancës së dytë do t’u kushtohet studentëve të doktoraturës, të cilët do të kenë mundësinë të prezantojnë një abstrakt të zgjeruar mbi temat e kërkimit në të cilat punojnë, të udhëhequr nga profesorët e Fizikës. Më poshtë mund të shkarkoni programin dhe prezantimet e konferencës.

ProgramiPrezantime

Për të shkarkuar prezantimet, punët praktike dhe programin e kursit, klikoni butonin me poshtë.

Materialet e kursit

Kursi i parë i trajnimit për mësuesit e sistemin parauniversitar në kuadër të projektit Erasmus+ “Exoplanets for Education”

Më 31 janar dhe 1 shkurt 2026, në Departamentin e Fizikës, Fakultetin e Shkencave të Natyrës, u zhvillua me sukses kursi i trajnimit “Exoplanets for Education – Exo4Edu”, në kuadër të programit Erasmus+ KA2, ku Universiteti i Tiranës është partner. Trajnimi mblodhi pedagogë dhe mësues nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, përfshirë Tiranën, Shkodrën, Elbasanin, Durrësin, Lezhën, Korçën, Laçin dhe Gramshin. Ata u njohën me konceptet bazë të ekzoplanetëve, metodat e zbulimit të tyre, zonën e banueshme dhe mënyra praktike për integrimin e këtyre temave në mësimdhënie.

Programi përfshiu leksione, punë praktike, eksplorimin e bazave të të dhënave të ekzoplanetëve, përdorimin e mjeteve statistikore, diskutime mbi projektin Exo4Edu dhe vrojtime astronomike me teleskop. Kursi u mbyll me reflektime përfundimtare dhe rëndësinë e vazhdimësisë së bashkëpunimit, përfshirë mundësinë e binjakëzimit të shkollave shqiptare me ato partnere nga Franca, Rumania dhe Portugalia, me synimin për integrimin e astronomisë moderne në arsimin parauniversitar.