Konferenca e Tretë Ndërkombëtare organizuar nga IKF, 2-3 Qershor 2025
Në vijim të traditës së krijuar, Instituti Kombëtar i Fizikës (IKF, www.ikf-akad.al), me mbështetjen e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, organizon Konferencën e tij të Tretë në datat 2-3 qershor 2025.
Ky njoftim është njëkohësisht edhe ftesë për të gjithë fizikanët e interesuar që të marrin pjesë në këtë aktivitet shkencor. Konferenca do të mbahet në format të përzier, me pjesëmarrje fizike dhe online. Regjistrimi është pa pagesë. Gjuhët e komunikimit do të jenë anglisht dhe shqip.
IKF synon promovimin e dijeve bashkëkohore dhe të ekselencës në fushën e fizikës në të gjithë hapësirën ku punojnë fizikanët shqiptarë, brenda dhe jashtë trojeve tona. Qëllimi i konferencës është përhapja e rezultateve të kërkimit shkencor e të arritjeve më bashkëkohore në fizikë, përfshirë këtu dhe mësimdhënien; konsolidimi i bashkë-punimit mes fizikanëve shqiptarë e joshqiptarë, si dhe zgjerimi i IKF me anëtarë të rinj. Meqenëse 2025 është shpallur viti ndërkombëtar i teknologjisë kuantike, konferenca do të ketë në fokusin e saj arritjet madhore në këtë fushë qendrore të fizikës.