Shkolla të Institutit Kombëtar të Fizikës

Shkolla është organizuar nga Instituti Kombëtar i Fizikës, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, dhe Departamenti i Fizikës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës. Ajo mbështetet nga Universiteti Politeknik i Barit, Instituti Kombëtar i Fizikës Bërthamore (INFN), Seksioni i Barit, Universiteti i Prishtinës, Kosovë, ECAP-FAU, Gjermani, Instituti i Fizikës Korpuskulare, Spanjë dhe Spitali Royal Berkshire, Mbretëria e Bashkuar.

Kontakti: infoschool@ikf-akad.al

Shkolla Ballkanike e Pranverës në Tiranë “Data Science Applications in Physics”, 21-24 Prill 2026

“Data Science Applications in Physics” Balkan Spring School u zhvillua në Tiranë, duke mbledhur studentë dhe lektorë nga rajoni ballkanik dhe më gjerë. Aktiviteti u hap me fjalën hapëse të Akad. Mimoza Hafizi (drejtore ekzekutive e IKF, ASHSH) dhe Prof. As. Dr. Gerti Xhixha (përgjegjës i departamentit të Fizikës, FSHN), dhe vijoi me një sërë ligjëratash të nivelit të lartë shkencor nga folës ndërkombëtarë. Ndër temat e trajtuara ishin pasiguria e matjes dhe gjurmueshmëria në fizikën e drejtuar nga të dhënat, analiza e të dhënave në Fizikën e Grimcave, fizika e bozonit Higgs, fizika e astrogrimcave, aplikimet e machine learning në shkencë, si dhe roli i inteligjencës artificiale në përmirësimin e trajtimit të kancerit me radioterapi.

Pjesëmarrësit patën gjithashtu mundësinë të përfshihen në sesione hands-on, duke punuar drejtpërdrejt me analiza reale të të dhënave. Aktiviteti u mbyll me shpërndarjen e çertifikatave, duke shënuar fundin e një programi intensiv që kombinoi fizikën teorike me aplikimet moderne të shkencës së të dhënave.

Leksionet dhe link-et e sesioneve hands-on mund të shkarkohen këtu: https://indico.cern.ch/event/1651071/

Shkolla Ballkanike në Tiranë “Data Science Applications in Physics”, 22-26 Janar 2024

Shkolla Ballkanike në Tiranë “Data Science Applications in Physics”, organizohet nga Instituti Kombëtar i Fizikës, Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Departamenti i Fizikës, FSHN, UT. Ajo ka mbështetjen e Politeknikut të Barit dhe Institutit Ndërkombëtar të Fizikës Bërthamore (INFN), seksioni Bari, Itali.

Kjo shkollë, mbi shkencën e të dhënave dhe aplikimet e saj në Fizikë, ka për qëllim të mbledhë studentë dhe kërkues të rinj nga vende të ndryshme, që studiojnë dhe punojnë në fushën e fizikës dhe në shkenca ndërdisiplinore. Ajo i dedikohet një spektri të gjerë aplikimesh në Fizikë (leksione dhe praktika), si Fizika e Materies së Kondensuar dhe e Trupit të Ngurtë, Grimcat elementare, Astro-grimcat dhe Fizika Mjekësore. Shkenca e të dhënave është bërë tashmë e pranishme në çdo drejtim të shkencave natyrore dhe shoqërore, kështu që njohja e studentëve dhe kërkuesve të rinj me arritjet e fundit të saj është domosdoshmëri e kohës.

Në këtë shkollë janë të ftuar të aplikojnë studentë shqipëtar nga brenda dhe jashtë vendit, por edhe studentë të huaj, me preferencë nga vendet e Ballkanit. Analizimi i të dhënave është tashmë mjaft i aplikuar, si në kërkimin shkencor ashtu edhe në sektorin ekonomik. Njohja e studentëve dhe kërkuesve të rinj me aplikimet e shumta të analizës së të dhënave në fushat e fizikës, është domosdoshmëri për ta bërë këtë degë më tërheqëse, duke e përshtatur me zhvillimet e kohës. Një tjetër qëllim i kësaj shkolle është shkëmbimi dhe toleranca kulturore midis të rinjve nga Ballkani, si dhe krijimi i kontakteve për bashkëpunime të ardhshme midis tyre dhe njëkohësisht me lektorët e shkollës.

Rregjistrimi në shkollën Ballkanike do të jetë pa pagesë, akomodimi për lektorët dhe studentët nga jashtë Shqipërisë do të mbulohet Akademia e Shkencave dhe në fund të shkollës të gjithë pjesëmarrësit do të pajisen me çertifikatë.

Bordi Organizues i Shkollës Ballkanike

1. Akad. Asoc. Mimoza Hafizi – IKF, Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Departamenti i Fizikës, FSHN, UT

2. Prof. As. Dr. Olta Çakaj – IKF, Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Departamenti i Fizikës, FSHN, UT

3. Prof. As. Dr. Rudina Osmanaj – IKF, Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Departamenti i Fizikës, FSHN, UT

4. Prof. Nicola De Filippis – Politekniku i Barit dhe INFN Bari, Itali

Për më shumë informacion, ju lutemi kontaktoni: infoschool@ikf-akad.al
Faqja e shkollës Ballkanike: https://indico.cern.ch/event/1308067/

Programi i shkollës