Forumi “Trajnimi i mësuesve të Fizikës, 2025”
Në periudhën maj-qershor 2024, universitetet e Shqipërisë u angazhuan për herë të parë, pas rreth 30 vitesh, në trajnimin e mësuesve të sistemit arsimor publik të vendit. Në këtë aktivitet u përfshinë universitetet të cilët tradicionalisht kanë formuar mësues, si Universiteti i Tiranës, Universiteti Fan Noli Korçë, Universiteti Aleksandër Xhuvani Elbasan, Universiteti Luigj Gurakuqi Shkodër, Universiteti Aleksandës Moisiu Durrës. Me një ndjenjë të madhe përgjegjësie, pavarësisht dilemave lidhur me kohën e lënë në dispozicion për përgatitje dhe programin e parapërcaktuar, u angazhuan denjësisht në këtë proces dhjetra pedagogë dhe qindra mësues.
Instituti Kombëtar i Fizikës, si një institucion që në fokusin e tij ka edhe fizikën shkollore, mision të cilin e realizon përmes bashkëpunimit dhe nxitjes së mendimit kritik ndërmjet aktorëve kryesorë, në bashkëpunim me Departamentin e Fizikës, FSHN, organizuan një forum diskutimi mbi trajnimet e mësuesve, në 8 shkurt 2025, në ambjentet e Akademisë së Shkencave. Qëllimi ishte analiza e procesit të trajnimit që u zhvillua në maj-qershor dhe shtator 2024, si dhe zhvillimi i ideve për përmirësime të mundshme, në dobi të mësimdhënies së fizikës në sistemin parauniversitar. Temat e diskutimeve ishin: evolucioni në vite procesi i trajnimit të mësuesve; sfidat kryesore, për të cilat mësuesit kanë nevojë të trajnohen; kërkesa dhe propozime për një mbarëvajtje sa më të mirë të procesit të trajnimeve dhe propozime për trajnimet e 2025.